Në ditët e nxehta të verës Korça është gjithnjë një “arratisje” e bukur. Jo vetëm për klimën që ka por edhe për të gjitha ato çfarë ofron. Me cilësinë e qytetit të serenatave, Shkollës së Parë Shqipe dhe artit, Korça është edhe Qyteti i Birrës dhe pikërisht në muajin Gusht të gjitha rrugët të çojnë në Juglindje. Destinacioni i çdo kujt që adhuron muzikën, birrën dhe argëtimin.
Prej disa vitesh turistë shqiptarë dhe të huaj zgjedhin Korçën për të shijuar këtë festë që përkon me kulmin e sezonit turistik. Pas suksesit të viteve të kaluara edhe këtë vit pritet të ketë adhurues të shumtë në 5 netët e festës që kalohen nën tingujt e muzikës nga emra të njohur shqiptar dhe jo vetëm, si dhe nga një gamë birrash vendase dhe të huaja.
Nëse ende në kalendarin e pushimeve tuaja verore nuk është shënuar Korça si destinacion, mbani mend këto data, 17–21 Gusht, rikthehet eventi më i madh veror. Është koha
për të kaluar disa ditë të bukura më miqtë ose familjarët tuaj nën tingujt e muzikës dhe gotave të birrës.
Nga viti në vit ky aktivitet ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit të Korçës duke e kthyer në një zonë të preferuar jo vetëm për të kaluar ditët e verës pranë klimës së freskët dhe ditët e dimrit me bardhësinë e borës, por edhe për të jetuar. Një qytet që ofron qetësi, natyrë të gjelbër, kulinari, art dhe argëtim. Një mundësi për ti dhënë një koncept të ri të të shijuarit të natyrës në një zonë malore e preferuar tashmë nga ata që jetojnë brenda kufijve të vendit tonë por edhe jashtë tij sepse Korça është një “must”.