Kur përmendim verën mendja na shkon direkt tek plazhi, dielli, baret me muzikë buzë detit apo argëtimi përmes sporteve ujore. Megjithatë ka shumë njerëz që preferojnë për stinën e verës pushimet në mal, ose një alternim mes dy opsioneve. Një alternativë mjaft e mirë për të gjithë ata që preferojnë malin është Korça, një qytet ku bëhen bashkë një varg i gjatë bukurish natyrore me artin, traditën dhe kulturën. Në këtë qytet sezoni turistik nuk mbaron kurrë dhe sigurisht që në çdo stinë ka shumë për të ofruar. Por nëse ndalemi tek stina e verës, Korça ofron shumë opsione që do t’ju bëjnë ti vlerësoni pushimet verore në mal dhe më poshtë po sjellin disa prej tyre.
- Ajri i pastër, freskia
Në një kohë kur temperaturat kapërcejnë 40 gradë, ku më mirë se në Korçë mund të kaloni disa ditë mes ajrit të pastër, freskisë dhe qetësisë që të ofron ky qytet, një vend perfekt për t’u çlodhur, për të marrë energjitë e duhura dhe për të nisur një sezon të ri.
- Mundësi për hiking dhe eksplorim të natyrës
Për të gjithë të apasionuarit pas hiking, ku më mirë se në mal mund ta ushtroni një sport të tillë. Qyteti i Korçës të ofron një sërë mundësish për hiking apo për shëtitje në natyrë ku mund të eksploroni disa prej atraksioneve të zonës, siç janë mali i Moravës, Parku Kombëtar Bredhi i Drenovës, apo kodrat e qytetit që përbëjnë kurorën e tij. Afërsia që kanë me qytetin ju jep atyre pamjen e një ballkoni mjaft tërheqës për syrin e një vizitori. Si një destinacion i preferuar në të gjitha stinët e vitit qyteti i Korçës ofron gjithashtu një sërë atraksionesh si brenda qytetit ashtu edhe në zonat përreth. Brenda qytetit të Korçës mund të shijoni Pazarin karakteristik një monument i trashëgimisë kulturore që përfshin 33 blloqe dyqanesh, 6 prej të cilave janë hane. Ndërtesat janë një ansambël arkitekturor që ndërthuren ndërmjet tyre nga rrugët e shtruara me kalldrëm. Gjithashtu në këtë qytet gjeni Shkollën e parë shqipe, Kullën e Sahatit dhe një sërë muzeumesh me vlera historike e kulturore.
Ndërsa në zonat përreth mund të vizitoni fshatat turistikë si Voskopoja, Dardha, Vithkuqi e Boboshtica që të ofrojnë gjithmonë diçka si në stinën e dimrit ashtu edhe në atë të verës me natyrën e bukur, kishat, monumentet dhe traditën në kulinari.
- Gjallëri në 365 ditë të vitit
Një tjetër karakteristikë e këtij qyteti është gjallëria në çdo stinë të vitit. Edhe pse të gjithë e lidhin me dëborën dhe dimrin, Korça ofron shumë edhe gjatë stinës së verës. Aktivitetet në këtë qytet janë të shtrira përgjatë gjithë vitit dhe kulmojnë në gusht me festën e birrës një traditë shumë vjeçare që e transformon Korçën në një prej qyteteve më të preferuara në Shqipëri.
Një tjetër event i rëndësishëm që tashmë është kthyer në traditë dhe që realizohet në sezonin veror, është Festivali i Ushqimit cili promovon gatimet tradicionale të Korçës. Këtë vit pjesë e Festivalit të Ushqimit ka qenë edhe Festa e Lakrorit që sjell traditën e veçantë të përgatitjes së lakrorit në saç.
Të gjitha arsyet e lartpërmendura kanë bërë që qyteti i Korçës të ketë një sezon turistik që nuk mbaron kurrë dhe turistë në çdo stinë të vitit.