Korça, qyteti që di të të përqafojë me atmosferën e tij magjike, është kthyer në destinacionin më të kërkuar për pushimet e fundvitit. Në këtë periudhë festive, Korça ofron gjithçka që mund të ëndërrojë një “zemër romantike” apo një “shpirt aventurier”: dëborën e bardhë që vesh qytetin me petkun dimëror, shëtitjet në pedonale dhe në lagjet karakteristike korçare, Muzeun e Artit Mesjetar me mbi 7 mijë ikona fetare apo muzeun e Gjon Milit me jehonë ndërkombëtare, eksperiencën e kulinarisë, atraksione e aktivitete për çdo grupmoshë dhe mbi të gjitha festë nën tingujt e serenatave korçare.
- Festat e fundvitit në Korçë
Me ardhjen e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, Korça ndriçohet nga dritat festive dhe mbushet me muzikë e atmosferë të ngrohtë. Pazari i Vjetër, me dekorimet e tij tradicionale, të fton të eksplorosh dyqanet artizanale, të provosh ushqimet tipike, apo të shijosh rakinë e pjekur pranë zjarrit. - Rrethinat piktoreske
Shumë pranë qytetit, fshatrat turistikë si Dardha, Boboshtica e Voskopoja, të ofrojnë një atmosferë po aq të ngrohtë, por edhe aktivitete në natyrë. Pista e skive në Dardhë është atraksioni ideal për adhuruesit e sporteve dimërore, ndërsa mali i Moravës, Parku Kombëtar i Drenovës dhe liqenet e Prespës, ofrojnë një panoramë mahnitëse për të gjithë dashamirësit e natyrës. - Të gjithë duan të festojnë në Korçë!
Korça është një prej qyteteve më të frekuentuara nga turistët shqiptarë dhe të huaj me rreth 900 mijë vizitorë çdo vit. Me 111 hotele dhe bujtina, strukturat akomoduese janë plotësisht të zëna edhe në fundjava të zakonshme. Gjatë festave të fundvitit është shumë e vështirë të sigurosh një akomodim, pasi vizitorët nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë vërshojnë drejt Korçës, për të përjetuar atmosferën magjike të Krishtlindjeve të bardha. Për ata që duan ta shijojnë këtë qytet edhe në periudhën më të frekuentuar, një shtëpi në Korçë është zgjidhja ideale. - Pse Korça të bën për vete?
Korça nuk është thjesht një destinacion, është një përvojë. Nga sheshi i zbukuruar me pemën e Vitit të Ri deri tek ndjesia që të jep zjarri që kërcet në oxhak, ky qytet ofron atë që shumë të tjerë nuk mund ta ofrojnë: një kombinim perfekt mes traditës, kulinarisë, natyrës dhe komoditetit. Dhe ndoshta, prandaj, të gjithë po shkojnë në Korçë – për të përjetuar një atmosferë festive që nuk e gjen askund tjetër.